Wisdom of Life

Risi në Universitetin e Arteve

SONY DSC Promovimi i gjithë instrumentave të trombës ishte shtysa kryesore e pedagogut dhe trombistit Sokol Saraci në realizimin e një koncerti të përbashkët mes pedagogeve dhe studentëve të Universitetit të Arteve.

Orkestra e Universitetit të Arteve nën dirigjimin e Artistit të Merituar Alqi Lepuri, interpretoi për publikun e Tiranës muzikë Baroque nga Antonio Vivaldi. Solist, trombisti Sokol Saraci shoqëruar në violinë nga Rozarta Luka.

Sokol Saraci përveç realizimit të një koncerti të përbashkët mes studentëve dhe pedagogëve kishte kënaqësinë të ndante përvojën e tij në lidhje me instrumentin e trombës, përvojë kjo e fituar në Amerikë falë bursës “Fulbright”.

“Një trombist duhet të jetë i aftë të luajë gjithë gamën e instrumentave të trombës. Si Tromba Picolo, Tromba Mib, Tromba in Do , Kornet dhe Flikorno Soprano. Për fat të keq në shkollën tone mësohet vetëm Tromba in Sib. Falë programit “Fulbright Scholarsip” të Departamentit të Shtetit Amerikan mu dha mundësia të njihja teknikat dhe llojet e instrumentave, një pjesë të të cilëve i përfshiva edhe në këtë koncert.

Kjo burse përfshinte mësimdhënie dhe koncerte në disa Universitete të Shtetit Amerikan. Prezantimi me auditorë të ndryshëm dhe mënyra e çliruar me të cilën zhvilloheshin këto koncerte më befasuan! Nuk është në traditën tone të flasim përpara apo gjatë koncertit, por aty kuptova se kjo gjë ndihmonte për të komunikuar më shumë me publikun. Këtë u mundova ta emetoj edhe gjatë këtij koncerti si solist.

Ndër të tjera doja të prezantoja studentëve të trombës në Tiranë se kompozitorë të caktuar edhe pjesë të caktuara luhen me instrumentin e tyre përkatës dhe jo vetëm me Tromba in Si b, siç ndodh rëndom në shkollën tone dhe ne Shqipëri” – thotë Sokol Saraçi për Hermes News.

Trombisti dhe pedagogu Sokol Saraci është i vetmi muzikant Shqiptar që ka fituar bursën “Fulbright” një mundësi kjo që ju jepet nga Shteti Amerikan personave me merita profesionale e akademike dhe që kanë aftësinë të prezantojnë më së miri vendin e tyre.

Në pjesën e parë të këtij koncerti Sokol Saraçi interpreton me Tromba Picolo.

Ndërsa gjatë pjesës së dytë u interpretua me Flicorno Soprano.

Sokol Saraçi shprehet se këto janë ndër meloditë më të bukura të muzikës klasike.

Instrumentat si Tromba Picolo, Flicorno Soprano dhe sjellja për herë të parë në Sallën e Universitetit të Arteve e instrumentit të Klaviçembalos kishin qëllim të përcillnin muzikën baroque në formën e tyre sa më origjinale.

Një tjetër kulmim i këtij koncerti ishte pjesëmarrja e Mjeshtrit të Madh, tenorit Kastriot Tusha.

Repertori përmbante muzikë nga kompozitorë të ndryshëm si W. Mozart , J. Sibellius dhe Kujtim Laro.

Profesor Saraçi uron që së shpejti sistemi mësimor në Universitetin e Arteve të ndryshojë dhe aty të përfshihen të gjithë instrumentat e trombës.

 

Jonida Çunga

Source: Prishtina Press